AKTIVITET TRAJNUES: “Provat me shkresë në procesin civil dhe autonomia private e palëve në procesin e të provuarit." - 13 maj 2026

Shkolla e Magjistraturës, më datë 13 maj 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me Temë: “Provat me shkresë në procesin civil dhe autonomia private e palëve në procesin e të provuarit. Përdorshmëria e akteve procedurale dhe papërdorshmëria e provave në gjykimin civil dhe administrativ. Procesi i të provuarit në procesin civil”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Sokol Pina; Nurjeta Pogaçe  

Lehtësues: Megi Strakosha 

Qëllimi i këtij trajnimi është: Trajnimi synon evidentimin dhe adresimin e çështjeve më të diskutueshme nga magjistratët që kanë rezultuar nga studimi i praktikës gjyqësore në  lidhje me provat me shkresë në procesin civil, përdorshmërinë e akteve procedurale dhe papërdorshmërinë  e provave në gjykimin civil dhe administrativ dhe procesin e të provuarit në procesin civil. Në  këtë trajnim do të analizohet jurisprudenca e gjykatave shqiptare dhe atyre të huaja, si dhe legjislacioni e trajtimet doktrinare të vendeve që kanë legjislacion të ngjashëm e ku është bazuar ai shqiptar. Një vëmendje e veçantë do ti kushtohet analizimit të qëndrimeve doktrinare dhe problematikave të hasura në praktikën gjyqësore lidhur me provat dhe procesin e të provuarit në procesin civil;

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Mjetet e provës, kuptimi i provës dhe llojet e provave në procesin civil; Barra e provës dhe parimi i moskundërshtimit; Procesi, mënyra dhe koha e paraqitjes së provave/provat e reja; Objekti i provës; Parimi i disponibilitetit të palëve; Standardi i të provuarit; Pranueshmëria e provave;
  • Provat atipike; Ekspertimi si provë; Provat legale dhe ato elektronike; Provat elektronike: Emailet, screenshot, whatsapp, regjistrime dhe mënyra e marrjes së tyre në cilësinë e provës;
  • Jurisprudenca për provat tipike dhe atipike – prova me dëshmitar, prova dokumentare, deklarata noteriale; Deklarimet e të tretëve para prokurorit, etj.;
  • Kuadri procedural i marrjes dhe refuzimit të provës- detyrimet e gjykatës dhe palëve; Vlera provuese e vendimit penal të formës së prerë në procesin civil; Detyrueshmëria e vendimit penal të formës së prerë dhe vlera e fakteve të vërtetuara në procesin penal. Krahasim dhe studim mbi praktikën italiane dhe asaj të GJEDNJ-së .

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, ndihmës ligjorë dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.